DESTINACIONI
Mirësevini në Valbonë
Perla e Alpeve Shqiptare
Imagjinoje veten teksa zgjohesh nga rrezet e buta të diellit që lindin pas malesh, mes ajrit të pastër dhe të freskët, e me lumin në krah që kumbon në gjithë luginën.
Mirësevini në Valbonë, një vend ku bukuria e natyrës është qendra e vëmendjes dhe çdo moment duket si një kartolinë.
E gjendur në Parkun Kombëtar të Valbonës, kjo luginë është destinacioni i përkryer për ata që duan aventurën, natyrën dhe qetësinë.
Nëse po kërkon aventurë apo një vend për t’u çlodhur, e për t’u rilidhur me natyrën, aty do i gjesh të gjitha.
Valbona, një përvojë e paharrueshme në çdo stinë.




Zbuloni bukurinë e Valbonës
Natyra e Valbonës është aq sa e ashpër edhe e butë. Terreni me maja të larta, pyje të gjelbëruar dhe lumenj të kristaltë, krijon një parajsë për ata që e shijojnë natyrën dhe aventurën.
• Në pranverë dhe gjatë verës, lugina gjallërohet me ngjyrat e luleve të egra, livadhet dhe mundësitë e pafundme për ecje dhe eksplorim në mal. Shtegu i famshëm Valbonë-Theth, një nga ecjet më të bukura në Ballkan, ju udhëheq përmes peisazheve mahnitëse.
• Në vjeshtë, nuancat e arta të pemëve krijojnë një atmosferë magjike, ideale për shëtitje të qeta dhe fotografi të mrekullueshme.
• Në dimër, Valbona shndërrohet në destinacionin e preferuar të atyre që shijojnë dëborën, e përshtatshme për ecje, ose netë të ngrohta pranë zjarrit duke vëzhguar yjet në qiellin e pastër.
Pavarësisht sezonit kur zgjedh ta vizitosh, Valbona të mirëpret për t’u rilidhur me natyrën dhe për të ndjerë freskinë e Alpeve Shqiptare.
Një vend me traditë dhe mikpritje të ngrohtë
Përtej maleve dhe lumenjve, Valbona është një vend i pasur me histori. Është një zonë ku tradita i ka rrënjët e thella, ku familja mblidhet për të ndarë vaktet dhe ku çdo vizitor mirëpritet si një mik i vjetër i familjes.
Banorët të pranojnë me zemër dhe dyer të hapura, duke ofruar gatime tradicionale si fli dhe byrek, mish qengji të pjekur ngadalë, mjaltë të freskët dhe djathë të bërë në shtëpi. Në luginë do të dëgjoni jehonën e këngëve popullore, do të shihni kullat prej guri që kanë rezistuar ndër breza dhe do përjetoni emocionin e prekjes nga afër të një mënyre jetese, e cila ka mbetur e pandryshuar me dekada të tëra.
Këtu, koha ul ritmin, duke të dhënë mundësi të gjesh gëzim mes momenteve të thjeshta si një shkëmbim buzëqeshjeje me një banor vendas, apo aromës së freskët të ushqimit që piqet në furrat e fshatit. E sigurisht, ndjenjën e paqes teksa shikon malet që shtrihen përpara teje.



Një destinacion për aventurë dhe relaks
Nëse do të përjetosh një aventurë malore, ose do të njohësh kulturën e veriut, apo thjesht dëshiron të arratisesh drejt një vendi të qetë, Valbona e ka atë që po kërkon.
• Eksploro shtigjet panoramike dhe ujëvarat e fshehura
• Shijo ushqimin tradicional dhe mikpritjen vendase
• Relaksohu pranë lumit dhe shijoni natyrën
Në Valbonë mund të shkëputesh nga jeta e përditshme dhe të rilidhesh me natyrën.
Eja dhe përjeto magjinë e Valbonës.